Protesta e katërt kombëtare e opozitës ka vazhduar për afro 6 orë, duke e kaluar mesnatën.
Pasi i grumbulloi pranë selisë së PD, ashtu edhe si në protestat e kaluara para se ti shpërndajë protestuesit, kreu i PD, Lulzim Basha duke falënderuar përkrahësit që i kanë dhënë protestës së opozitës, kërkoi prej tyre që t’i japin kohë për të marrë vendimet se si do të zhvillohen protestat.
“Të gjithë strukturat e PD-së për të marrë vendimet pas shpalljes së luftës nga Edi Rama kundër popullit të tij. Duke ju falënderuar nga zemra për këtë qëndresë të paprecedentë në historinë e Shqipërisë për të mos lejuar më diktatin e krimit dhe skllavit të tij, Edi Rama ju kërkoj mirëkuptimin për kohën që do të na duhet se si do të vazhdojmë betejën tonë deri në fund, derisa sa ti japim fund politikës së lidhur me krimin.
Ju jeni protestues, qytetarë dhe prindër, por sot jeni armata e lirisë, shpresa e vetme që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë mbledhje të jashtëzakonshme me strukturat për marrjen e vendimeve përkatëse”, tha Basha.
Në këtë protestë, serish nuk munguan përplasjet, konfrontimet fizike apo edhe gazi lotsjellës. Por që në fillim të saj u parashikua se nuk do të mbyllej lehtë, pas bombave molotov që u hodhën ndaj Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Situata u agravua më tej pas shoqërimit në polici të Sahit Dollapajt, Sekretarit Organizativ të PD, pas një konfrontimi fizik me efektivët e policisë. Pas qetësimit të situatës Dollapaj, u dërgua për të marrë mjekim në Spitalin e Traumës.
Top Channel