Nguti për të sjellë të ardhura më shpejt se sa duhet, ka përfshirë dhe gjuhën dhe librat e shkollës.
Puna e shpejtë për hartimin e teksteve shkollore ka sjellë sot urgjencën gjuhësore, tregon profesor Gjovalin Shkurtaj.
‘Ëndërroja kapjen e një peshkaqeni të madh. Mendoja që levrekun ta lidhja me dinamitin”, është një fragment i shkëputur nga teksti i gjuhës shqipe dhe lexim i klasës së 6, nga romani ‘Shpella e Piratëve’ i Petro Markos. Përzgjedhja e pjesëve letrare është problem delikat, pasi gjuha e përdorur nuk duhet të jetë e rëndë për nxënësit e ciklit 9-vjeçar.
“Në çdo tekst duhet marr parasysh mosha e fëmijëve, pra klasa. Fëmijët e sotëm kanë mik dhe internetin, kjo është dhe një tjetër vështirësi e madhe për hartuesit e librave. Tekstet shkollore që përkthehen, zakonisht dalin me të meta. Përkthyesit mund të dinë mirë gjuhën dhënëse, pra anglishten apo gjermanishten frengjishten por nuk dinë mirë gjuhën shqipe. Në qoftë se e lemë çdo gjë që vjen është e përshtatshme, mjafton të shkruaj për Naim Frashërin por nuk ka shumë rëndësi se çfarë shkruajmë, gjuha e teksteve në vend të përmirësohet, do të përkeqësohet më tej”, tha Gjovalin Shkurtaj.
Vite më parë, veç autorit të tekstit, ishte redaktori dhe korrektori letrar që nuk lejonin që në duart e fëmijëve të shkonin libra me gabime. Sot, kjo hallkë mungon.
“Botimi i librave të mirë ka qenë gjithmonë ai i miratuar nga Ministria e Arsimit, që do të thotë dikush që nuk është autor por që ka kompetencë gjuhësore dhe letrare dhe të përgjithshme, e merr librin dhe e shikon me përgjegjësi”, thotë Shkurtaj.
Përpjekjet e sotme, sipas gjuhëtarit Shkurtaj kanë qenë për të zbukuruar librin, por brenda tyre ka munguar përkujdesja për cilësinë.
“Ne duhet të arrijmë patjetër që në librat e shkollës dhe në ligjërimin e mësuesit brenda klasës, të mos ketë gabime. Ajo që është e shkruar në libër, duhet të jetë në një farë mënyre si Bibla apo Kurani për ata që mësojnë fenë”, tha ai më tej.
Top Channel