Përleshjet kanë shpërthyer në Paris në protestën e organizuar me rastin e 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Një person është arrestuar nga policia në bulevardin Montparnasse në Paris, ndërsa një tjetër raportohet se është plagosur në përleshje.

Me mijëra njerëz demonstruan edhe në Stamboll. Policia ka arrestuar 84 persona që kishin tentuar të hynin në sheshin Taksim, që u mbyll për ditën, duke bërë që Turqia të shënojë një tjetër 1 maj të tensionuar. Më herët, turistëve në qytet iu kërkua të qëndronin në hotelet e tyre.

Rreth 2 mijë protestues anti Kremlin, iu bashkuan marshimeve të 1 majit në Shën Petërburg të Rusisë, duke hedhur slogane kundër presidentit Vladimir Putin. Më shumë se 30 vetë u arrestuan nga policia.

1 maji u shënua edhe në Kubë me një marshim gjigant, por që në epiqendër kishte mbështetjen për Venezuelën dhe kundërshtimin e politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, që kërcënon ishullin me embargo totale.

Në Gaza, palestinezët kërkuan vende pune dhe kushte më të mira jetese ndërkohë që marshime e protesta pati edhe në qytete të tjera të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA