Atëherë kur jeta është në fije të perit, e kur çdo sekondë është e vyer për të shpëtuar jetën e një njeriu, në ndihmë ndoshta të vjen edhe një mjet fluturues i telekomanduar “drone”.
Një ngjarje e tillë historike ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, kur pikërisht një “drone” ka kryer të parin fluturim me mision fisnik, duke transportuar veshkën e një donatori për një nevojtar në një spital amerikan, aty ku kirurgët prisnin ta operonin nga momenti në moment.
Fluturimi në fjalë kërkoi një drone të dizenjuar në mënyrë specifike, jo vetëm për të mbajtur organin jetik të njeriut, siç është veshka, por edhe për të monitoruar gjendjen e saj.
Ky sukses shton shpresat se mund t’i hapet rruga udhëtimeve më të gjata në distancë të këtij lloji, për të adresuar më shpejt çështje të sigurisë shëndetësore, krahasuar me metodat ekzistuese të transportit.
Marrësi, një 44-vjeçare nga Baltimore, kishte pritur 8 vite për transplantin. “E gjitha kjo është e pabesueshme dhe fantastike. Vite më parë as nuk mund ta mendonim diçka të tillë”, tha ajo mbi këtë metodë të pazakontë transporti.
Sipas Rrjetit i Bashkuar për Shpërndarjen e Organeve (UNOS), që menaxhon transplantet e organeve në SHBA, në vitin 2018 ishin afro 114 mijë njerëz në listat e pritjes, ndërkohë që gati 1.5 për qind e organeve nuk mundën të mbërrinin në destinacion në kohën e duhur, ndërsa afro 4 për qind e dërgesave ishin vonuar me dy ose më shumë orë.
“Dërgesa e një organi nga donatori te pacienti është një detyrë e shenjtë me shumë etapa. Është jetike që të gjejmë mënyra për ta bërë këtë detyrë edhe më mirë, edhe më shpejt”, tha Joseph Scalea, mjek asistent i operacionit në fjalë në Universitetin “Maryland School of Medicine” (UMSOM), apo njëri prej kirurgëve që kryen transplantin.
Top Channel