Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe udhëheqësit demokratë ranë dakord të martën të shpenzojnë 2 trilionë dollarë për rrugë, ura, furnizim me ujë dhe rrjete të energjisë, dhe do të takohen përsëri në tre javë për të diskutuar se si të paguajnë për planin, thanë udhëheqësit demokratë.
Takimi, i cili duket të jetë kryesisht pozitiv, dallon nga diskutimet më të nxehta midis të dy palëve mbi çështjet më të komplikuara të emigracionit dhe sigurisë kufitare.
Të dyja palët kanë treguar mbështetje për një projekt-ligj të mundshëm për infrastrukturën, e cila, nëse do të kalojë, do të ishte një shembull i rrallë i suksesit bipartizan legjislativ.
“Ne patëm një takim shumë produktiv me presidentin e Shteteve të Bashkuara”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi. “Ne arritëm në një marrëveshje, që pakti do të ishte e madh dhe i guximshëm”.
Megjithë dëshirën e bashkuar për të forcuar infrastrukturën e SHBA-ve, masat për të paguar faturën, të cilat duhet të miratohen në Kongres, mund të jenë pengesë për bashkëpunimin.
“Ne ramë dakord për një numër, i cili ishte shumë, shumë i mirë – 2 trilionë dollarë për infrastrukturën. Fillimisht ne kishim filluar me një shifër më të ulët, por edhe presidenti ishte i etur për ta shtyrë atë deri në 2 trilion dollarë”, tha udhëheqësi demokrat i senatit Chuck Schumer.
Shtëpia e Bardhë e quajti takimin “të shkëlqyeshëm dhe produktiv” dhe konfirmoi se një tjetër do të ndodhte më vonë në maj.
Top Channel