Nisma e Trump, SHBA-të pritet të shpallin Vëllazërinë Myslimane si grup terrorist

01/05/2019 05:59

Presidenti Donald Trump po punon për të etiketuar Vëllazërinë Myslimane një organizatë terroriste të huaj (FTO), tha të martën Shtëpia e Bardhë, veprim ky që do të sillte sanksione kundër lëvizjes islamike më të vjetër të Egjiptit.

“Presidenti është konsultuar me ekipin e tij të sigurimit kombëtar dhe udhëheqësit në rajon që ndajnë shqetësimin e tij dhe ky përcaktim po ecën në rrugën e tij përmes procesit të brendshëm”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në një email për mediat.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi i kërkoi Trump të bënte etiketimin gjatë një vizite të 9 prillit në Uashington, tha një zyrtar i lartë i SHBA-ve, duke konfirmuar një raport në New York Times të martën.

Pas takimit, Trump vlerësoi Sisin si një “president të madh”, ndërsa një grup dypartiak i ligjvënësve të SHBA ngriti shqetësime rreth të dhënave të presidentit egjiptian, për të drejtat e njeriut, përpjekjet e tij për të qëndruar në detyrë deri në vitin 2034 dhe blerjet e planifikuara të armëve ruse nga Egjipti.

Vëllazëria, e cila vlerëson anëtarësimin e saj në deri në 1 milion njerëz, erdhi në pushtet në zgjedhjet e para të lira moderne të Egjiptit, në vitin 2012.

Si shefi i ushtrisë së Egjiptit në vitin 2013, Sisi përgatiti largimin e presidentit të zgjedhur Mohamed Mursi, një figurë të lartë të Vëllazërisë dhe një goditje të mëvonshme ndaj mbështetësve të saj, si dhe opozitës liberale në Egjipt. Sisi u zgjodh president në vitin 2014.

Pas përmbysjes së Mursit, Vëllazëria u ndalua shpejt në Egjipt. Autoritetet e shpallën atë një organizatë terroriste dhe burgosën mijëra ndjekës, si dhe pjesën më të madhe të udhëheqjes së saj, përfshirë Mursin.

Vëllazëria, e themeluar në Egjipt në vitin 1928, thotë se është një lëvizje jo e dhunshme dhe mohon çdo marrëdhënie me kryengritjet e dhunshme të kryera nga Al Qaeda dhe militantët e Shtetit Islamik.

“Ne do të mbetemi të palëkundur në punën tonë në përputhje me të menduarit tonë të moderuar dhe paqësor”, tha Vëllazëria në një deklaratë në faqen e saj të internetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA