Vendimin për të shkuar në zgjedhje me 30 qershor, Partia Socialiste e vulosi me firmosjen e koalicionit zgjedhor, Aleanca për Shqipërinë Europiane, me 23 parti të majta. Këtë vit në listën e partive të majta mungon LSI, e cila ka nënshkruar me demokratët koalicionin opozitar, për të mos lejuar zgjedhjet me Ramën, Kryeministër. Si kundërpërgjigje, të majtët në koalicionin e tyre angazhohen të mos lejojnë përsëritjen e skenarëve të vitit ‘96.
“Nuk ka negociata me askënd mbi kurrizin e Kushtetutës. Sikurse bënë gabimin e paimagjinueshëm për dorëzimin e mandateve të besuara nga populli, tani jemi në fazën që PD dhe LSI, Lulzimi dhe Monika duan që t’u heqin të drejtën qytetarëve për të votuar kryetarët e 61 bashkive dhe 61 kuvendet lokale të bashkive të vendit. Kjo nuk ka për të ndodhur”- tha Balla.
Në bazë të marrëveshjes, votat e partive të vogla do të shkojnë për kandidatin e përbashkët të koalicionit për kryetar bashkie, si dhe në favor të secilës parti për këshill bashkiak, ndërsa pas fitores të vegjlit do të kontribuojnë në nivelet e qeverisjes vendore në bazë të peshës specifike te tyre.
Top Channel