Pas sulmeve kamikaze që u morën jetën të paktën 250 personave, e plagosën qindra të tjerë gjatë së dielës së Pashkës, Sri Lanka ka vendosur të ndalur mbulimin e fytyrës në daljet publike.
Presidenti Maithruipala Sisirsena deklaroi se vendosjen e këtij ndalimi, që hyn në fuqi prej kësaj të hëne, e bën duke shfrytëzuar ligjin e emergjencave. Sipas asaj që sqaroi zyra e tij, “mbulimi i fytyrës që pengon kësisoj identifikimin do të ndalohet me ligj për të garantuar sigurinë kombëtare”.
Në fakt, në këtë direktivë të re të presidentit të Sri Lankës nuk është përmendur specifikisht burka, apo niqabi, veshjet e zakonshme të veshura nga femrat myslimanë.
Sri Lanka vijon të jetë në nivel maksimal gatishmërie, edhe 8 ditë pas sulmeve kamikaze që shënjestruan kisha dhe hotele. Dhjetëra të dyshuar janë arrestuar, por zyrtarë lokalë kanë paralajmëruar se ende ka militantë në arrati.
Por ç’pjesë e popullsisë preket nga ky vendim? Sri Lanka ka në gjirin e saj një popullsi jo të paktë por shekullore myslimane; gati 10% e 21 milionë banorëve të saj. Mes tyre, vetëm një numër i vogël femrash mendohet se veshin niqabin që mbulon fytyrën, apo burkën, e cila mbylon fytyrë dhe trup bashkë.
Edhe organizatat e drejtuara nga klerikët myslimanë në Sri Lanka kanë bërë thirrje për gratë myslimane që të shmangin mbulimin e fytyrës këto ditë, teksa përgjatë fundjavës, mijëra trupa ushtarake kanë mbikëqyrur rrugët, si dhe kanë mbrojtur kishat dhe xhamitë në vend.
Top Channel