Para nisjes së Samitit të Berlinit, kancelarja Angela Merkel priti në takime të veçanta kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministria njoftoi se në takimin Merkel-Rama u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu, kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj.
“Kryeministri Rama e ka falenderuar Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron u angazhuan për mbështetjen ndaj Ballkanit.
Ndërkohë, në mbrëmje vijoi samiti si edhe një darkë e të pranishmëve.
Në draftin e konkluzioneve që siguroi Top Channel, liderët e Ballkanit Perëndimor, bashkë me kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë, përfaqësuesit e lartë të BE-së për çështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë, u mblodhën në Berlin, në një takim të thirrur nga Presidenti i Francës dhe kancelarja gjermane. Në draft konkluzionet e takimit ata përsëritën perspektivën e përbashkët evropiane të rajonit. Vlerësuan marrëveshjen e suksesshme mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për mosmarrëveshjen mbi emrin si një shembull të jashtëzakonshëm të zgjidhjes së suksesshme të konflikteve. Ata nënvizuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës për stabilitetin në rajon. Një marrëveshje e tillë është thelbësore për rrugëtimin evropian respektiv të Serbisë dhe Kosovës.
Ata ranë dakord që kjo marrëveshje duhet të jetë gjithpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe kontribuon për stabilitetin rajonal.
Serbia dhe Kosova ranë dakord të përshpejtojnë përpjekjet për implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe do të riangazhohet në mënyrë konstruktive në normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e një procesi negocimi transparent dhe gjithpërfshirës, që do të shoqërohet me përpjekje të ndërtimit të besimit. Pjesëmarrësit ranë dakord të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një zonë rajonale ekonomike në linjë me deklaratën e samitit të Sofies së 2018 dhe konkluzionet e samitit të ballkanit perëndimor të londrës në 2018.
Të gjithë pjesmarrësit rikonfirmuan angazhimin për të bashkëpunuar në kuadrin e të ashtuquajturit proces të berlinit. Lidhshmëri, bashkëpunim ekonomik, tregti e lirë, bashkëpunim në cështjet dhe ripajtimi përbën shtyllat e procesit. Ata riafirmuan mbështetjen për zyrën rajonale të bashkëpunimit rinor dhe mirëpresin samitin e radhës në Poloni.
Pjesëmarrësit ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin për të parandaluar radikalizmin dhe për të luftuar terrorizmin dhe trafikimin e paligjshëm të armëve si edhe të emigracionit të paligjshëm. Po ashtu nënvizuan angazhimin e palëkundshëm ndaj demokracisë përfshirë rolin qendror të institucioneve zgjedhore dhe parlamentare, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të forcojnë rolin e shoqërisë civile dhe medias së pavarur. Ata pranuan që reformat e vazhdueshme janë celësi për perspektivën evropiane të rajonit dhe forcimin e rezistencës së shoqërive përballë sfidave të kohës, të brendshme dhe të jashtme. Ata riafirmuan angazhimin për stabilitetin e rajonit. Me këtë qëllim, pjesmarrësit mirëpritën qëllimin e kroacisë për të mbajtur një samit tjetër BE-Ballkan perëndimor, gjatë presidencës së saj të BE në 2020.
Top Channel