Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn është shprehur se ka besim se Komisioni Evropian do të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fund të majit.
Lajmin e bëri të ditur gazeta “Handelsblatt”, të premten.
Sipas Hahn, hapja e negociatave nuk është vetëm në interes të vendeve të rajonit, por edhe të vetë unionit.
Megjithatë, edhe nëse Komisioni ndërmerr një vendim të tillë, do të jenë vendet anëtare ato që do ta thonë fjalën e fundit. Sipas Hahn, rekomandimi do të bëhet në bazë të kritereve të rënë dakord reciprokisht nga vendet anëtare të BE. Hahn beson se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë merituar hapjen e negociatave, të cilat u shtynë qershorin e vitit të kaluar.
“Marrëveshja historike për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe marrëveshjet e miqësisë me Bullgarinë janë sinjale për të gjithë rajonin që rezolutat e mosmarrëveshjeve të gjata janë të mundshme. (Maqedonia Veriore) ka bërë gjithashtu përparim të mirë kur është fjala për reformat e brendshme. Vendi meriton një dritë jeshile për hapjen e negociatave të pranimit sa më shpejt që të jetë e mundur – para ose pas verës”, tha Hahn.
Top Channel