Qeveria po përgatitet për të hapur luftë me koncesionarin e Rinasit, i cili ruan të drejtat e shfrytëzimit të aeroportit deri në vitin 2027.
Një vendim i fundit i Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare, autorizon Avokaturën e Shtetit për të kontraktuar një studio ndërkombëtare ligjore, për shërbim konsulence në lidhje me marrëveshjen e koncesionit me kompaninë “Tirana International Partners”.
Kontrata do t’i nështrohet monitorimit dhe verifikimeve sesi janë zbatuar pikat dhe kriteret. Studios ligjore do t’i krijohen kushte për të pasur qasje në dokumentacion dhe në terren.
Por, a është ky një hap që paralajmëron një prishje të njëanshme para kohe të kontratës së koncesionit të Rinasit dhe më pas një betejë në Arbitrazhin ndërkombëtar? Kjo mbetet për t’u parë, ndërkohë që pas grabitjes së 9 prillit në Rinas, marrëdhëniet mes qeverisë dhe koncesionarit të Rinasit kanë qenë të tensionuara.
Në një tjetër procedurë të nisur vitin që shkoi, pala shqiptare u angazhua në një auditim të marrëveshjes, për të parë nëse ka hapësira për rishikimin e termave financiare të kontratës.
Raporti i përpiluar nga audituesi “BDO” gjeti se, në 15 vitet e koncesionit, pra në periudhën 2004-2018, kompania koncesionare e aeroportit ka fituar 84 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar. Pas gjetjeve të raportit, qeveria ka nisur negociatat për të kërkuar kompensim ekonomik nga “TIA”, por palët nuk kanë arritur të gjejnë një marrëveshje.
Top Channel