Të paktën 700 refugjatë, pjesë e një sekti të persekutuar islamik, janë fshehur pasi u larguan nga shtëpitë e tyre në qytetin portual të Negombos, në Sri Lanka, për shkak të rritjes së tensioneve mes komuniteteve pas bombardimeve vdekjeprurëse të së dielës së Pashkës.

Sulmet kamikaze, që lanë 359 persona të vrarë dhe 500 të plagosur, tronditën qetësinë relative që kishte ekzistuar në Sri Lankën e dominuar nga budistët, që prej fundit të luftës civile kundër separatistëve hindu të etnisë “Tamil”, 10 vite më parë, duke rritur kështu frikën për rikthimin e një dhune ndërmjet sekteve.

Një grup prej rreth 500 myslimanësh kanë gjetur strehë në një qytet të paidentifikuar nga “The Guardian”, për shkak se i druhen sulmeve të mundshme hakmarrëse ndaj tyre. Jashtë vendndodhjes së tyre ka një prani domethënëse policore, ndërsa përballë tyre gjendeshin edhe dhjetëra banorë lokale që po protestonin kundër pranisë së myslimanëve, duke kërkuar largimin e tyre nga zona.

“Këta njerëz duhen larguar nga ky vend, – tha një anëtar i këshillit lokal provincial. – Ne nuk i duam ata”. Protestuesit kanë pasur edhe parulla me mesazhe në gjuhën angleze dhe “sinhala”, ku shkruhej: Nuk na nevojiten refugjatët pakistanezë.

Policia tha se refugjatëve iu është kërkuar të qëndrojnë edhe për disa ditë aty, përpara se t’iu garantojnë zhvendosjen e sigurtë. Grupi në fjalë i përket komunitetit “Ahmadi”, një sekt islamik të persekutuar në Pakistan dhe të ndaluar me ligj të shkelin në vendet e shenjta të besimit të tyre, si Meka apo Medina.

Ata i janë larguar dekadave persekutim në Pakistan apo rrethinat përreth, pasi ata besojnë te një profet tjetër islamik, Ahmadi, i shfaqur rreth shekullit të XIX, pikëpamje që bien ndesh me parimin fundamentalist islamik, sipas të cilit Muhammad (Muhamedi) ishte lajmëtari i fundit i dërguar nga Zoti.

Pakistani ndryshoi Kushtetutën e tij në vitin 1974, duke i deklaruar “Ahmadët” si jomyslimanë. Plot 10 vite më vonë, qeveria e deklaroi një “shkelje kriminale” faktin që këta pjesëtarë të “pozonin” si myslimanë.

“Ne nuk jemi armiqtë e tyre. Ne përballemi me të njëjtën situatë nga e cila po vuajnë ata”, thotë Qazi Moin Ahmed, 21-vjeçar. “Ne nuk jemi terroristë, pavarësisht se ata na konsiderojnë të tillë”, u shfajësua njëri prej tyre.

Babar Baloch, një zëdhënës i UNHCR-së, tha se agjencia kishte marrë ankesa nga refugjatët se “ishin kthyer në shënjestra të kërcënimeve dhe intimidimeve”, ndërkohë që përpjekjet e agjencisë së OKB-së do të vazhdojnë për të garantuar sigurinë e tyre. Rreth 1.600 refugjatë dhe azilkërkues janë regjistruar me UNHCR-në në Sri Lanka, tha më tej ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA