6 stacione të reja karikimi për makinat elektrike në Tiranë, Posta Shqiptare dhuron 30 pemë

23/04/2019 14:56

Përfaqësues të Postës Evropiane dhe të asaj shqiptare, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbollën 30 fidanë në pjesën Jugore të Parkut të Liqenit.

Duke vlerësuar kontributin e këtyre dy institucioneve, kryebashkiaku tha se nismat që synojnë gjelbërimin e kryeqytetit kanë gjetur mbështetje jo vetëm tek shqiptarët, por edhe tek të huajt që vizitojnë vendin tonë. “Jam shumë i lumtur që dy kolegë që përfaqësojnë Postën Shqiptare dhe Postën e Europës, janë bashkë me ne në aksionin e mbjelljes së pemëve. Më vjen mirë që jo vetëm shqiptarë, por edhe të huajt që vijnë këtu për një konferencë, seminar ose udhëtim pune, gjejnë pak kohë dhe i bashkohen energjisë së qytetit për mbjelljen e pemëve. Jemi në muajin e fundit, falë Zotit ka pasur edhe shi, lagështirë, një moment perfekt për ta mbyllur me një sprint të fortë mbjelljen e pemëve”, deklaroi Veliaj.

Pas flotave të para të taksive elektrike dhe të automjeteve të Bashkisë së Tiranës, edhe Posta Shqiptare po ndryshon logjistikën për ta bërë më miqësore me mjedisin. Postës Shqiptare i shtohen në flotën e saj 12 automjete ekologjikë të dhuruara nga UPU (Universal Postal Union). Ndërkaq, kryeqytetit i shtohen edhe 6 karikues për automjetet elektrike, të cilët u shtohen atyre të vendosur nga bashkia. “Posta është një industri logjistike, kryen shumë lëvizje me automjete, dhe jo vetëm që po e rikuperon këtë duke mbjellë pemë që thithin dioksid karboni dhe çlirojnë oksigjen, por mbi të gjitha duke ofruar një projekt pilot fantastik, duke i shtuar flotës së saj 12 makina ekologjike, 6 prej tyre totalisht elektrike, si dhe 6 karikues, që u shtohen karikuesve të bashkisë, për t’u siguruar që siç kemi stacion autobusi ose pikë karburanti, kemi edhe stacion karikimi të makinave elektrike. Posta bëhet institucioni i parë që fillon këtë revolucion të gjelbër për Tiranën kur vjen puna te transporti”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se sikurse nisma për dhurimin e pemëve, edhe ajo për zëvendësimin e automjeteve me karburant me makina elektrike do të gjejë përkrahjen e qytetarëve dhe të kompanive. “Çdo punë nis me hapa të vegjël. Edhe aksioni i pemëve filloi me 1-2-3 pemë, sot jemi tek faza kur po mbjellim mbi 100 mijë pemë çdo vit. Jam i bindur se, falë iniciativës së Postës Europiane, edhe çështja e transportit elektrik do të fillojë po kështu, me një kompani, pastaj dy, pastaj pesë, e do të kthehet në trend, për t’i kthyer në minorancë makinat me karburant që helmojnë qytetin dhe fëmijët”, tha Veliaj.

Administratori i Postës Shqiptare Sh.a, Laert Duraj përshëndeti nismën e Bashkisë së Tiranës, e cila përveçse po përmirëson cilësinë e jetës në qytet, po ndërgjegjëson shoqërinë shqiptare për më shumë vëmendje ndaj mjedisit. “Rëndësia e vërtetë e kësaj që po bën Erioni dhe Bashkia e Tiranës shkon përtej numrit të pemëve të mbjella, por tek shembulli që po jepet dhe te sensibilizimi i shoqërisë shqiptare. Me kënaqësi shikoj që të gjitha bashkitë e tjera ndjekin me të njëjtin përkushtim shembujt që jep Tirana. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe ne te Posta Shqiptare, të krijojmë një shembull që kompanitë publike, ato shtetërore dhe ato private, të përdorin mjete transporti, të kthejnë sytë nga energjia e gjelbër”, tha ai.

Përfaqësuesja e Postës Evropiane, Maire Lodi u shpreh e kënaqur që tashmë edhe Posta Shqiptare do të përdorë automjete hibride dhe elektrike. “Ne kemi vërtet disa nisma për gjelbërimin, njëra është mbjellja e pemëve. Kemi mbjellë pemë në vendet tona anëtare çdo pranverë, që nga 2014, dhe jemi shumë të lumtur që tashmë edhe Posta Shqiptare do të përdorë gjithashtu makina hibride për shpërndarjen. Do të jetë një shenjë e mirë për Tiranën”, deklaroi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA