Një çift në Shqipëri, që jeton në 45 metra katrorë, mund të faturohet edhe me 1.22 milionë lekë për harxhimin e energjisë elektrike në një muaj. Këtë shumë të majme parash, ka qenë e detyruar ta paguajë për dritat familja Mema, në maj të vitit 2011.

“Përveç faturës që është 12 milionë e 200 mijë, është shtuar dhe kamatëvonesa me 12 milionë e 200 mijë të tjera. Shuma ka vajtur në 24 milionë e 400 mijë, ndodhet ende në sistem, nuk hiqet”, shprehet Astrit Mema.

“Për një muaj duhet të jesh ndonjë biznes i madh që të paguash kaq, edhe pse dyshoj. Jo më dy vetë ne, burrë e grua, që jetjomë në një dhomë e kuzhinë”, thotë Servete Mema.

Për 8 vite, ankimimet e çiftit Mema kanë qenë të vazhdueshme. Trokitjet nga një derë në tjetrën nuk u kanë dhënë zgjidhje. Ndërkohë që rreziku për ndërprerjen, si dhe pengesa e moskompesimit për dritat si pensionistë, ekziston.

“Në pamundësi të gjetjes së dokumentacionit të mbajtur në atë periudhë, si pasojë e keqmenaxhimit nga ana e CEZ-it, nuk mund të gjykoj mbi konstatimet e grupeve të kontrollit”, citon Astriti përgjigjen e Adrian Çelës, administrator të OSHEE-së.

“Kjo është përgjigjja që më ka kthyer Adrian Çela. Pas këtij jam ankuar te portali ‘Shqipëria që duam’. E njëjta përgjigje edhe atje”, deklaron Astrit Mema.

Teksa pranojnë që gabimi është i CEZ-it, u tregojnë se mënyra e vetme për të mos qenë më debitorë është procesi gjyqësor.

“Tani për të vajtur në gjykatë ne dy veta jemi, dy pleq pensionistë. Unë nuk kam lekë të bredh me një pension 150 mijë lekë”, tha Astrit Mema.

“Le të na hedhin ata në gjyq, shkojmë ne nëqoftëse kemi ndonjë gabim”, tha Servete Mema.

Nga ana tjetër, edhe pas mbifaturimit zotëria paguan rregullisht çdo muaj energjinë elektrike, që shkon deri në 3.000 maksimalisht.

“Ja ku është është libreza, paguaj rregullisht çdo muaj”, tregon Astriti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA