“Sëmundjet që vijnë nga insektet, si ethet e dengutit, leishmanisë dhe encefalitit janë në rritje dhe tani po kërcënojnë të përhapen në shumë zona të Evropës”, paralajmërojnë shkencëtarët.
“Shpërthimet e këtyre sëmundjeve po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike dhe zgjerimit të udhëtimit dhe tregtisë ndërkombëtare”, u tha të shtunën në Kongresin Evropian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive në Amsterdam.
“Ndryshimi i klimës nuk është faktori i vetëm apo kryesori që nxit rritjen e sëmundjeve të transmetuara nga insektet në të gjithë Evropën, por është një nga shumë faktorët”, tha autori kryesor, profesor Jan Semenza, i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Stokholm.
Kjo çështje u mbështet edhe nga eksperti Giovanni Rezza. “Mësimet nga shpërthimet e fundit të virusit të Nilit Perëndimor në Amerikën e Veriut dhe virusi i chikungunya në Karaibe e Itali, theksojnë rëndësinë e vlerësimit të rreziqeve të sëmundjeve të ardhshme nga insektet”, tha ai.
Ngrohja globale ka lejuar që mushkonjat, rriqrat dhe insektet që mbartin sëmundje të përhapen, të përshtaten me stinë të ndryshme dhe të pushtojnë territore të reja në të gjithë Evropën gjatë dekadës së fundit, me shpërthime shoqëruese të dengusit në Francë dhe Kroaci, malaries në Greqi, ethet e Nilit Perëndimor në jug –lindje të Europës dhe chikungunya në Itali dhe Francë.
“Me keqardhje, -thanë autorët, -kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut”. “Europa Mesdhetare tani është një rajon tropikal me kohë të pjesshme, ku tashmë janë vendosur insekte si mushkonja e tigrit”, shtoi Rezza. Dhe në të ardhmen, moti i nxehtë dhe i lagësht mund të ofrojë kushte ideale për mushkonjën e tigrit aziatike, e cila përhap viruset që shkaktojnë denguit dhe chikungunya, të rriten dhe të zgjerohen nëpër pjesë të mëdha të Evropës, përfshirë jugun dhe lindjen e Britanisë së Madhe dhe Evropës qendrore.
“Duke pasur parasysh përhapjen e vazhdueshme të mushkonjave dhe insekteve të tjera në Evropë, duhet të parashikojmë shpërthime dhe të lëvizim për të ndërhyrë,” shtoi Semenza. “Agjencitë e shëndetit publik duhet të përmirësojnë mbikëqyrjen, për shembull përmes sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe rritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet potenciale midis punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe publikut të gjerë”.
Top Channel