Banorët e fshatit Kaçinar të Mirditës, pas lajmit të marrë se në zonën e tyre do të ndërtohen 4 hidrocentrale, kanë dalë në protestë.
I gjithë uji i këtij përroi pas disa muajsh, me ndërtimin e hidrocentraleve, do të kalojë në tuba për t’u shndërruar në energji, ndërsa e gjithë zona do të mbetet pa ujë. Banorët thonë se nuk do të lejojnë kurrë shkatërrimin e ekosistemit të zonës.
Sipas banorëve, kompania që do të ndërtojë HEC-et e ka marrë lejen për ndërtimin e tyre para 12 viteve dhe se pretendon se ka realizuar dëgjesën publike dhe ka marrë miratimin e banorëve të fshatit. Por, ata thonë se vetëm tani janë vënë në dijeni se janë disa projekte për ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë.
Banorët janë të shqetësuar për devijimin që do i bëhet ujit të pijshëm dhe atij për vaditje dhe paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë dhe zgjerojnë protestën në ditët në vazhdim.
Top Channel