Jemi mësuar të shohim kontrolle të shumta policie për shkaqe e motive të ndryshme, mes të cilave edhe kontrollet antidrogë.

Mes përpjekjeve të autoriteteve për të goditur trafikun e narkotikëve, ku përfshihen edhe kontrollet e automjeteve dhe të objekteve, kryesojnë metoda më të sofistikuara sikurse janë përgjimet dhe vëzhgimet.

Me gjithë këtë trafikantët, pa lënë në harresë metodat klasike të trafikut të narkotikëve, kanë shpikur edhe rrugë të tjera, sikurse është trafiku i drogës me çanta në krah përmes kufirit të gjelbër.

Për një vit, autoritetet shqiptare kanë zbuluar 20 raste të transportit të kanabisit nëpërmjet personave të rekrutuar nga trafikantët, të cilët paguhen për ta ngritur drogën me çanta shpine dhe për ta dorëzuar më tej te pritësit në Greqi.

Të rekrutuarit udhëtojnë në këmbë me dhjetëra kilometra mes maleve Shqipëri-Greqi, sikurse është rasti i 4 të rinjve nga Gramshi, nën hetim te Krimet e Rënda. Të dyshuarit do të paguheshin nga 200 mijë lekë. Ata janë arrestuar gjatë patrullimit policor në kufirin e gjelbër, që funksionon enkas për goditjen e rasteve të tilla.

“Ka deklaruar në bazë të të gjitha të dhënave që ‘unë jam posedues i lëndës narkotike. Kam ngarkuar dy persona të tjerë, të cilët në rrugë tokësore do të shkonin dhe do të transportonin lëndën narkotike’. Ai do t’i paguante për punën që ata do të bënin, për dy çanta hashash, me dy milionë lekë të vjetra secili”, thotë avokatja Megi Zonja.

Në pritje për të dalë para gjykatës për akuzën e trafikut të drogës, njëri prej tyre, Andrea Boçi ka pohuar se kishte pranuar të transportonte çantat me hashash në krah drejt Greqisë për shkaqe ekonomike.

“Në momentin që kemi një trend, kur transporti bëhet në rrugë tokësore, janë persona me një gjendje shumë të rënduar ekonomike. Pra kemi të bëjmë me persona të cilët nuk kanë një punë”, tha më tej Megi Zonja, avokate.

Në kushtet kur çanta të tilla me hashash vazhdojnë të fotografohen mes maleve, si pjesë e një vendngjarjeje, e kur ka dyshime se trafikantët shqiptarë bashkëpunojnë edhe me trafikantë grekë, policitë e të dyja vendeve kanë intesifikuar gjithashtu bashkëpunimin. Jo vetëm për patrullimin, por edhe për shkëmbim informacioni, për rastet kur çantat me drogë zbulohen në tokën shqiptare, ndërsa trafikantët janë në pritje të ngarkesës në krahun tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA