Dhjetë gra, kryefamiljare në nevojë, bashkë me fëmijët e tyre, që prej janarit të këtij viti janë strehuar në banesa sociale, të përshtatura për apartamente banimi.
Një ndërtesë e vjetër, e cila më parë shërbente si kopsht fëmijësh, është rikonstruktuar dhe përshtatur për banesa sociale.
Gratë kryefamiljare të divorcuara, të dhunuara, apo që kanë humbur bashkëshortët, tashmë kanë një strehëz ku mund të jetojnë. Secila prej familjeve paguan qiranë prej 2.000 lekë në muaj dhe mund të qëndrojnë në këto apartamente derisa t’iu krijohet një mundësi më e mirë jetese.
Kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj tha se dy apartamente banimi në objektin e rikonstruktuar mbahen në gatishmëri për çdo familje që mund të ketë nevojë urgjente për strehim. Rikonstruksioni u financua nga qeveria shqiptare dhe ka kushtuar 17 milionë lekë të reja.
Edhe një ndërtesë tjetër, ish-pronë e kompanisë “Albpetrol”, e zaptuar nga të pastrehët, është rikonstruktuar dhe në të do të strehohen 15 familjet më në nevojë. Në qytetin e Patosit janë 116 familje në nevojë, që kanë paraqitur në bashki kërkesë për strehim.
Top Channel