Tregu global i automjeteve përgatitet për makinën e së ardhmes, të ndërlidhur, autonome dhe lehtësisht të qasshme. Laboratori për këtë koncept të ri mund të jetë Kina.
Shërbimet e transportit po përjetojnë një “boom” të vërtetë dhe nuk mbetet pas as ideja e marrjes së makinave me qira vetëm për një periudhë të shkurtër kohe, shpesh edhe me orë.
Pikërisht kjo kërkohet edhe te makina e re. E ku ka atëherë terren më të mirë testimi sesa Kina, me qytetet e saj gjigante të dëshpëruara për një zgjidhje të shpejtë, e me një popullsi të gatshme të përqafojë risitë e teknologjisë.
Për të përfituar nga kjo situatë, prodhuesit po konkurrojnë jo vetëm për shitjen e makinave elektrike në tregun më të madh të automjeteve në botë, por edhe për të shkuar edhe një hap më tej.
“Nuk mund të zhvillojmë vetëm makina elektrike. Duhet të krijojmë edhe automjete ‘smart’ të ndërlidhura, e që sigurisht të gjejnë përdorim sa më të gjerë”, thotë Zhao Guoqing, zv.president i gjigantit kinez të automjeteve “Great Wall Motors”.
Diskutimet përfshijnë edhe “Didi Chuxing”, përgjigjja vendase për “Uber”-in. Dëshira e kinezëve për të udhëtuar me vetëm një klikim në “smartphone” i ka çelur dyert një tregu kolosal. Kërkesat e transportit arritën në 28 miliardë dollarë vitin e kaluar në Kinë, gati sa gjysma e vëllimit global.
Top Channel