Top Story u fokusua te përmbajtja e letrës që Çausholli i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe konfliktin që tentoi të krijonte.
Letra e dërguar në Ministrinë e Financave ka përmbajtje denigruese, fyese dhe shantazhuese ndaj pronarit të televizionit Ora News, zotit Ylli Ndroqi.
“Unë mendoj që është sulm për t’u mbrojtur nga kompania e tij, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë ka dashur të sulmojë apo të godasë Ora News apo Channel One”, tha Vasilika Hysi, avokate e Ylli Ndroqit.
Në letrën që mbante emrin e autorit të emisionit Top Story thuhej se kishte punuar me zotin Ndroqi dhe se kishte dijeni se pronari i Ora News pastronte rreth 1.2 milionë euro në vit nëpërmjet disa kompanive.
Pra, nëpërmjet kësaj letre, Çausholli kishte ndezur një konflikt mes Top Channel dhe Ora News, duke përdorur emrin e një gazetari.
“Personat që e ideojnë një skenar të tillë nuk synojnë vetëm dëmtimin e një individi brenda gazetarisë, por kërkojnë të godasin imazhin dhe gjithë misionin e mediave në përgjithësi, por ky rast e çdo rast tjetër, kur them tjetër edhe raste më të vogla se na kanë ardhur denoncime të ndryshme”, tha Aleksandër Çipa, Unioni i Gazetarëve.
Ky lloj intimidimi duket se është kthyer në fenomen për gazetarët. Nëse nuk do të ishte zbuluar nga autoritetet, konflikti mes dy televizioneve do të përshkallëzohej.
Qëllimi i letrës së Nadir Çaushollit ishte që të vinte në lëvizje Ministrinë e Financave, që drejtohet nga Anila Denaj. Nëpërmjet letrës, biznesmeni Ndroqi akuzohej për evazion fiskal dhe qëllimi ishte që ndaj tij të niste një hetim tatimor.
Top Channel