Banorët e fshatrave të njësive administrative Fiershegan, Bubullimë e Krutje, në Lushnjë, për vite me radhë kanë vuajtur nga mungesa e infrastrukturës. Shumë prej tyre kanë braktisur tokat, por ata që mbetën në fshat i kanë shtruar vet rrugët.
Por me investimin e fundit në “unazën e Myzeqesë”, pritet që vuajtjet e banorëve të marrin fund. Ata shpresojnë se do ta kenë më të lehtë të shkojnë në Lushnje, për të nxjerrë në treg prodhimet bujqësore.
Segmenti që po shtrohet është i gjatë rreth 11 km dhe ka një gjerësi prej 5 m. Në zonat e banuara janë parashikuar ndriçime dhe trotuare. Sipas inxhinierit të projektit, ndërhyrje do të ketë edhe në kanalet anësore.
Rruga kalon nëpër zonat me sipërfaqen më të madhe të tokave të mbjella në Myzeqe. 40 mijë banorët e fshatrave të zonës do të kenë lidhje më të lehtë me dy akset kryesore të vendit, Lushnje-Fier dhe Lushnje-Berat.
Top Channel