Fotot e mëngjesit i treguan më të plota pasojat e ferrit të flakëve që mbështolli një ditë më parë Notre Dame, por ndërsa përmasat e shkatërrimit sa vjen e bëhen më të qarta, lajmet e mira nuk mungojnë: thesaret e katedrales kanë shpëtuar. Kryqi dhe altari i famshëm i saj ngriheshin sfidues mbi relievet e mermertë të nxira nga tymi e mbi copat e drunjta të shkrumbuara brenda.
Ndërkohë rreth 16 statuja bakri ishin zhvendosur nga pjesa e sipërme e saj gjatë punimeve të restaurimit. Zjarrfikësit kishin formuar një zinxhir njerëzor në përpjekjet për të shpëtuar koleksionin e paçmuar të artit dhe relikeve të marra nga perandoria bizantine në 1238-tën e të dërguara në Paris nga Luigji i IX.
Kurora e gjembave, tunika e Saint Louis dhe disa objekte të tjera të rëndësishme janë të gjitha në një vend të sigurt, sqaroi më tej Hidalgo në Twitter. Nuk ka vend tjetër që ta përfaqësojë Francën si Notre Dame. 13 milionë vizitorët në vit e bëjnë atë edhe më popullore se kulla Eiffel.
Struktura gotike ngrihet mbi Paris që prej 1200-tës dhe i ka dhënë emrit njerës prej kryeveprave të letërsisë botërore, romanit të Viktor Hygo, “katedralja e Parisit”. Hera e fundit që Notre Dame pësoi dëme të mëdha ishte gjatë revolucionit francez, kur statujat e shenjtëve u grabitën nga elemente anti-klerike. Megjithatë ajo arriti t’i shpëtonte e pacënuar revoltës francezë të 1871-shit dhe dy luftërave shkatërrimtare botërore. Ishte e pamundur të mos përjetohej me tronditje të thellë fakti që atë çfarë nuk e dëmtoi dot lufta, e dogji paqja, simbol i të cilës, është dhe ajo vetë.
Top Channel