Problemet me frenat kanë detyruar kompaninë “Lyft” të tërheqë biçikletat e saj elektrike nga tregu i 3 qyteteve të mëdha amerikane.
Klientët ishin ankuar se frenat e tyre të përparme ishin më të forta se ç’duhej, duke e bërë kështu ndalimin goxha të dhunshëm.
Ankesat detyruan tërheqjen e rreth 3.000 biçikletave të “Lyft”-it që përdoreshin në Nju Jork, Uashington dhe San Françisko.
Biçikletat e pajisura me një motor elektrik për t’ua bërë edhe më të lehtë njerëzve lëvizjen në zonat urbane, tani janë zëvendësuar nga alternativat e tyre tradicionale me pedale.
“Siguria vjen e para”, tha Julie Wood, nga partnerja e “Lyft”-it, “Citi-Bike”, që operon këto shërbime. Ndërkohë, sipas Wood po përgatiten biçikleta të përmirësuara elektrike për përdorim në qytet, edhe pse ende nuk është dhënë ndonjë datë e saktë se kur ato mund të dalin në shitje.
Një numër jo i madh përdoruesish të biçikletave të tërhequra nga tregu kishin pësuar dëmtime, kryesisht si pasojë e frenimit të menjëhershëm gjatë zbritjes me shpejtësi prej një të tatëpjete.
Top Channel