Historitë njerëzore kanë treguar se njeriu është në përgjithësi i etur për të kaluar nga një cikël i jetës në tjetrin. Kur jemi të vegjël, me padurim presim të rritemi. Pastaj rritemi dhe punojmë pa u lodhur që kur të mbërrijmë në pension të gëzojmë një lloj mirëqenie. Por, përjashtim nga ky rregull i pashkruar bën historia që do sjellim sot për ndjekësit e Top Channel. Një rast që na ka frymëzuar dhe na ka dhënë një model tjetër se si të jetojmë.
Vera me profesion mësuese në ciklin 9-vjeçar në lëndën e matematikës ka zgjedhur të mos përfitojë nga e drejta e saj e të pushuarit në pension, por të vazhdojë të punojë si mësuese ende sot në moshën 74-vjeçare.
“Do të vazhdoj të punoj sa të kem fuqi. Për mua, të jetosh do të thotë të punosh dhe më duket sikur unë kontribuoj me mënyrën time të punës, aq sa kam mundësi… Pak, pak, aq sa mundem dua t’i shërbej këtij vendi, këtyre fëmijëve që nesër do të jenë e ardhmja”, tregon mësuesja.
Mësuesja është tepër aktive. Veç mësimdhënies, nuk lë pas dore shtëpinë: “Unë zgjohem që në 5, punoj dhe me shtiza… e mbush plotësisht ditën time”.
Nuk ishte zgjedhje e Verës dega e studimit, por e babait të saj, pasi figura e mësuesit ka qenë atëherë në qendër të shoqërisë, ndryshe nga sa pak vlerësohet sot. Si një nxënëse me nota të shkëlqyera, duhet të ndiqte studimet e larta në matematikë.
“Nuk e kisha menduar që do të bëhesha mësuese, megjithatë që orën e parë të mësimit u ndjeva shumë mirë dhe që atëherë unë kam vazhduar ta dua çdo herë e më shumë profesionin tim dhe e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Dua t’u kujtoj të gjithëve se pa qenë në dorë të mësuesit, pa shkuar në shkollë, pa u përgatitur nga mësuesi nuk bëhesh dot absolutisht asgjë”, thekson Vera.
Marrëdhënia që ka me nxënësit është e fortë. Shpjegimi i mësuese Verës nuk zgjat vetëm gjatë orëve të mësimit. Por, kurdoherë që ata kanë nevojë: “Detyra ime dhe mendoj duhet të jetë e të gjithë mësuesve, është që të bëjmë të mundur që secili nxënës të jap maksimumin e tij. Edhe këtyre nxënësve të klasës së 9 u thashë që do më mungojnë shumë vitin tjetër që nuk do jenë këtu… I dua shumë! Sepse po i rrisim vetë, krijohet një lidhje e tillë me nxënësit se të vijnë të vegjël, të pafajshëm fillojnë të bëhen e çapkënë. Nganjëherë u bën dhe vërejtje, mirëpo të bëhen pjesë e jotja”.
Top Channel