Tri kontenierë që përmbanin kokainë me vlerë më shumë se 10 milionë euro janë konfiskuar nga Departamenti i Doganave në Freeport të Maltës.
Dy prej këtyre kontenierëve, që vinin nga Amerika e Jugut, do të vazhdonin rrugën drejt Durrësit, ndërsa i treti, edhe ai me të njëjtën origjinë, do të shkonte në Selanik.
Operacioni ka qenë rrjedhojë e bashkëpunimit mes Departamentit të Doganave në Maltë, Policisë dhe Autoritetit Portual.
“Një njësi monitoruese e doganave kishte piketuar disa kontenierë për skanim, – thuhet në faqen e Doganave të Maltës në Facebook, – e pas verifimit u vunë re parregullsi në 3 prej tyre”.
Kontrollet e mëtejshme nxorën në pah sasinë e narkotikëve të fshehur në sistemin e ftohjes. Sasia e drogës së gjetur mbërrinte në total në 91.2 kg. Prokuroria vendase ka nisur menjëherë hetimet, e ndihmuar edhe nga ekspertë të policisë.
Top Channel