Klima s’ka lidhje me lumturinë. Si u përgjysmua numri i vetëvrasjeve në Finlandë

14/04/2019 08:32

Kur Finlanda u kurorëzua vendi më i lumtur i botës muajin e kaluar nga OKB-ja, disa ngritën vetullat përpjetë: si ka mundësi që vendi nordik, i njohur më së shumti për klimën e ashpër dhe nivelin e lartë të vetëvrasjeve, arriti të zinte një pozicion të tillë?

Edhe pse krahasimet ndërkombëtare kanë mangësitë e tyre për shkak të problemeve me të dhënat, statistikat zyrtare të vitit 1990 e vendosnin vërtet Finlandën të dytën në botë pas Hungarisë për nga numri i lartë i vetëvrasjeve.

Profesori Timo Partonen, i Institutit Kombëtar Finlandez të Shëndetit e Mirëqenies, mendon se për një fenomen të tillë nuk duhet fajësuar medoemos klima e zymtë e Finlandës apo qytetet e saj të ftohta e prej betoni të pasluftës: “Kush është depresiv, ashtu do të jetë në çdo vend të botës. Rreziku i vetëvrasjes është i ngjashëm. E rëndësishmja në këtë mes janë lidhjet sociale dhe sa i gatshëm je ti të kërkosh e të marrësh ndihmë”.

Që prej viteve ‘90, niveli i vetëvrasjeve në Finlandë thuajse është përgjysmuar dhe sot ajo ka zbritur me 20 vende në atë listë falë përpjekjeve të sektorit të shëndetit publik për të përmirësuar trajtimin dhe mbështetjen e personave më të rrezikuar, si dhe për ta bërë median të raportojë mbi këtë çështje në mënyrë më të përgjegjshme.

Nëpërmjet kësaj fushate është arritur që finlandezët, e sidomos meshkujt, ta kenë tani më të lehtë t’i shprehin ndjenjat dhe shqetësimet e tyre, e të kërkojnë ndihmë të specializuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA