Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në Tiranë. Në kuadër të operacionit të koduar “Fundjava”, ka rënë në pranga 35-vjeçari që shpërndante lëndën narkotike.
Shtetasi M. H., banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, ishte në vëzhgim nga shërbimet e policisë. Ndaj tij disponohej informacion nga policia se ai merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë, në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”.
Ky shtetas është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rreth-rrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.
Top Channel