Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestës para kryeministrisë rreth orës 18:35, ndërsa më pas mbajti edhe një fjalim në drejtim të turmës së protestuesve.
“Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë, si kurrë më parë, sonte. Jemi sot më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë, më të fortë dhe më të vendosur se kurrë më parë, kundër krimit dhe korrupsionit”, tha kreu i PD-së.
Lideri i partisë Demokratike nuk ngurroi të përmendë sërish akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, për lidhje të tij të forta me krimin, por edhe për faktin se “u ka vënë fadromën pronave të shqiptarëve”.
“Ky njeri do të hyjë në historinë e vendit, si kryeministri që u vuri fadromën shtëpive të shqiptarëve. Do të mbahet mend si kryeministri i kapur nga krimi i organizuar, që qeveris në favor të kriminelëve dhe kundër popullit të tij. Por ky popull sot nuk ka më frikë dhe jemi të gjithë të vendosur për t’i thënë “Rama Ik””, shtoi më pas Basha.
Kryetari i PD-së përsëriti vendosmërinë e forcës së tij politike, por edhe të gjithë protestuesve, se nuk do të bëjnë kompromis me kryeministrin Rama, duke ia adresuar mesazhin e tij edhe faktorit ndërkombëtar.
“Le ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota mbarë, se ne nuk do të bëjmë kompromis me qeverinë e krimit dhe votave të vjedhura. Ne nuk do të bëjmë kompromis me parimin themelor të demokracisë, që është vota e lirë, pasi e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka marrëveshje, ndaj që sot e tutje ne e shpallim atë anti-shtetin, anti-ligjin dhe anti-drejtësinë. Që sot e tutje, ligji, shteti dhe drejtësia, janë sovrani i mbledhur në këtë shesh”, tha Basha.
Top Channel