Gjatë një takimi me studentët në Qytetin Studenti, kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj, duke folur për kartën e studentit, tha se ajo do përfshijë jo vetëm shërbimet publike, por edhe ato private.
Kryebashkiaku tha se kryeministri do ketë në tryezën e tij VKM për kartat e studentit të mërkurën (17 prill).
“Kryeministri ka javën tjetër ka për vendim në tavolinën e vet në mbledhjen e qeverisë VKM për kartën e studentit. Është përgatitur. Kryeministri e ka vënë në rendin e ditës për të mërkurën. Menjëherë sapo të mbarojë mbledhja do bëhet dëgjesa për prezantimin e kartës.
Tashmë këshilli bashkiak i ka aprovuar 40 shërbime, disa janë kinema, teatër, aboneja e studentit. Të 40 shërbimet janë publike. Ndërkohë që kemi filluar të flasim për kartën na janë ofruar dhe kompani private, librari, dyqane për të blerë rroba, që prapë mund të kursehet. Do fusim shërbime private.”-tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se brenda muajit maj do i marrin kartën, studentët e parë që do aplikojnë.
“Brenda muajit që vjen Kryeministri do ketë kënaqësinë t’ju japë kartën e studentit të parëve që aplikojnë. Do mundohemi ti shpërndajmë deri në 21 korrik. Kush nuk është në Tiranë do e marrë në tetor.”-u shpreh më tej Veliaj.
Ndërsa shpjegoi edhe mënyrën sesi do funksionojë: “Do kopjojmë modelin e qeverisë siç shpërndahen kartat e identitetit. Do ketë një zyrë për kartat e studentit në qytet studentit, do ketë edhe në secilin fakultet. Do merret vetëm fotografia dhe do printohet menjëherë karta për përdorim.”
Top Channel