Në vitin 2016 është bërë një testim sekret për sigurinë e Aeroportit të Rinasit, duke futur eksplozivë dhe shumë mjete të ndaluara, që në kushte normale nuk mund dhe nuk duhej kurrsesi të kalonin sistemin e sigurisë.
Testimi i parë dështoi të identifikonte mjetin e ndaluar përmes skanerit me rreze X në bagazhin e dorës në terminalin e pasagjerëve. Në testimin e dytë, artikulli i ndaluar ishte fshehur në një nga këpucët e pasagjeres fiktive, një armë e ftohtë e llojit thikë. Sikurse edhe testimi i tretë, që përdori për 10 minuta artikujt e ndaluar për të realizuar hyrje të paautorizuar në ambientet e aeroportit e pistës.
Që të gjitha këto prova testuese dështuan, vetëm pak kohë përpara se të ndodhte ngjarja e parë e grabitjes së valutave përpara dy vitesh, ndërkohë që edhe këtë të martë rezultoi sërish me dështim nga ana e koncesionarit në detyrën e tij për të ofruar sigurinë për qytetarët në Aeroportin e Rinasit.
Sipas Carlo Bollinos, shkeljen kryesore në këtë ngjarje të përsëritur e ka koncesionari, megjithatë jo pa faj bën edhe Autoritetin e Aviacionit Civil, i cili ndonëse e ka kapur disa herë në shkelje firmën kineze, e ka gjobitur atë me shuma qesharake, krahasuar me fitimet kolosale që ajo siguron në vit nga menaxhimi i aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë.
Dështimi në siguri bëri që ministrja e Mbrojtjes të deklaronte dërgimin e Policisë Ushtarake, me një vendim të marrë – sipas saj, – nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. E pyetur se për sa kohë do të qëndronte ushtria e pranishme në Rinas, ministrja Xhaçka tha se gjithçka është e përkohshme, derisa të garantohen që masat e sigurinë janë përforcuar dhe se ngjarje të tilla do të mund të parandalohen në të ardhmen.
Top Channel