Grabitja e armatosur në Rinas e rreth 10 milionë eurove është cilësuar një ngjarje e rëndë edhe nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Open” të Eni Vasilit tha megjithatë se kjo ngjarje nuk është e jashtëzakonshme, aq sa për të rritur nivelin e alarmit.
Edhe vendimin për të dislokuar ushtrinë për të garantuar sigurinë në Aeroportin e Rinasit, ministrja Xhaçka tha se ishte marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Është dërguar Policia Ushtarake, për të cilën ka kuadër tjetër ligjor nga dërgimi i Forcave të Armatosura”, tha ministrja.
Nëse do të ishte dërguar ushtria, për një rast hipotetik të jashtëzakonshëm, atëherë sërish nuk do të ishte e nevojshme që ministrja të trokiste në dyert e Presidencës, por në Kuvendin e Shqipërisë. Ky ishte reagimi i ministres, e pyetur nëse ishte konsultuar me Presidentin e Republikës për dërgimin e Policisë Ushtarake në garantimin e sigurisë në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Por, gazetarët në studio këmbëngulën se duke qenë se është sulmuar një objekt i rëndësisë së veçantë, përbën edhe cënim të sigurisë kombëtare. Këtu ndërhyri Carlo Bollino, i cili tha se nëse do të ishte kështu, atëherë edhe protestat e opozitës që sulmojnë Kryeministrinë përbëjnë cënim të sigurisë kombëtare.
“Nuk kemi asnjë ndryshim të shkallës së sigurisë, as ngritje të alarmit, as luftë, as cënim sigurie kombëtare. Kemi thjesht një cënim sigurie, siç kemi pasur edhe në bazën e Pashalimanit, më herët, dhe siç bëmë atëherë duke përforcuar masat e sigurisë, ashtu bëmë edhe këtë herë”, ritheksoi më tej Olta Xhaçka.
Posted by Olta Xhacka on Thursday, April 11, 2019
Top Channel