Liderët e Bashkimit Europian janë mbledhur që dje në Bruksel, në një takim të posaçëm për të shqyrtuar kërkesën e Britanisë për shtyrjen e Brexit-it përtej 12 Prillit.
Pas debateve dhe diskutimeve të shumta, liderët e unionit ranë dakord që të shtyjnë këtë proces deri më 31 Tetor.
Kryeministrja Theresa May kishte kërkuar një shtyrje deri më 30 qershor, por mori njē afat prej 6 muajsh, gjë që e bën të pashmangshme pjesëmarrjen e Britanisë në zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj.
Megjithatë, Brexit mund të ndodhë edhe para datës 31 Tetor, nëse Theresa May arrin të miratojë në parlamentin britanik, marrëveshjen e dakordësuar me BE-në më herët.
Dy ditë më parë, kreu i Këshillit Europian Donald Tusk u kishte dërguar një letër liderëve europianë, ku propozonte shtyrje një vjeçare të afatit të Brexit-it, por me sugjerimin që procesi mund të kryhej më shpejt në rast se do të pranohej marrëveshja e dakordësuar më herët mes BE-së dhe kryeministres Theresa May.
Kjo e fundit të martën e kaloi mes Berlinit dhe Parisit, ku kërkoi një shtyrje të afatit të Brexit-it përtej 12 Prillit.
E nëse te kancelarja Angela Merkel gjeti gatishmëri, presidenti francez Emanuel Macron këmbënguli që shtyrja të bëhej vetēm me kushtin që Britanisē t’i hiqej e drejta e vendimmarrjes në union.
Gjithsesi, tashmë me shtyrjen 6-mujore, liderët e BE-së thanë se po u japin kohën e duhur anglezëve, për të vendosur me gjakftohtësi për të ardhmen e tyre brenda apo jashtë unionit.
Kujtojmë që marrëveshja e dakordësuar mes kryeministres May dhe Bashkimit Europian, është rrëzuar 3 herë në parlamentin anglez, ndërsa po ky i fundit ka miratuar një ligj para pak ditësh, ku ndalon Brexit-in pa një marrëveshje.
Tani topi kalon sërish në fushën e britanikëve, që nëse duan të dalin nga unioni europian, duhet të votojnë marrëveshjen.
“Ose ne miratojmë marrëveshjen,ose Brexit nuk do të ndodhë dhe sa më shumë kohë të kalojë, rriten mundësitë për opsionin e dytë”, tha May në një mesazh për Laburistët në opozitë, para pak ditësh.
Top Channel