Një ditë pas ngjarjes operimi i Aeroportit të Rinasit ishte si zakonisht, për sa i përket pjesës së transportit të pasagjereve. Shtimi i forcave të sigurisë pranë terminalit dhe përqark aeroporti është i dukshëm.
Tani për tani koncesinari nuk ka reaguar. Pikëpyetjet janë të mëdha për mënyrën se si u arrit që në një pikë kufitare, me nivel sigurie të lartë si ajo e Rinasit të futej një grup i armatosur. Nisja e grabitjes ka ndodhur në një pikë mjaft të frekuentuar, ajo gjendet mes dy parkingjeve ndërkohe që ndodhet shumë pranë edhe komandës së Forcave Ajrore.
Para portës që u përdor nga grabitësit për tu futur në pistën Aeroportit të Rinasit janë rivendosur blloqet e betonit, regjimi i sigurisë vazhdon i njëjtë, ndërkohe rreth e qark perimetrit të aeroportit po patrullohet me makina policie.
Edhe porta veriore e pistës së aeroportit, e cila shërbeu për largimin e grabitëseve është kyçur në të njëjtën mënyrë si më parë, ndërkohe në tokë kanë ngelur gjurmët e rrotave të furgonit të përdorur në ngjarje. Gjithë kohës ka mjete policie që kalojnë, madje janë kryer dhe veprime të tjera procedurale në terren. Lajmi për grabitjen e Rinasit ka bërë xhiron e medieve të botës. “Në momentin e ngjarjes në bordin e avionit ‘Airbus 320’ ndodheshin 134 pasagjerë”, shkruan gazeta gjermane ‘Bild’. Kompania ajrore austriake avioni i së cilës ishte objekt i grabitjes ka qenë e para që ka ndërmarrë masa vetjake sigurie për transferimin e vlerave monetare cash nga Aeroporti i Rinasit për jashtë shtetit.
Pas grabitjes zëdhënësja e “Austrian Arlines”, Tanja Gruber ka deklaruar për AFP-në se kjo kompani ajrore nuk do të kryejë më transferime të parave cash nga Tirana drejt Vjenës.
Ndërkohe Ministria e Infrastrukturës vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së bërë ditën e grabitjes nga ministrja Balluku, e cila tha se shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë për të garantuar funksionimin normal të të vetmit aeroport ndërkombëtar të vendit.
Top Channel