Paulin Sterkaj, anëtar i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare,  në një intervistë me gazetarin e  Top-Channel Muhamed Veliu, thotë se nëse do të kishte një ndërhyrje të policisë gjatë kohës, kur po kryhej grabitja në pistën e aeroportit, atëherë me gjasë, grabitësit për të shpëtuar do kishin marrë peng avionin.

“Patjetër që është cenuar siguria kombëtare. Kjo edhe në rast se do ishte një provokacion, që njerëzit shkojnë deri te avioni, ky quhet cenim i sigurisë kombëtare. Edhe nëse do ishte një test nga organet ligj-zbatuese do të ishte cenim i sigurisë kombëtare”, tha Sterkaj.

Deputeti për këtë grabitje flet për një bashkëpunim që shkon përtej 4 personave me rol aktiv në këtë ngjarje.

“Këta persona që grabisin bankat, kanë kallauzin nga brenda. Prandaj dhe ata që do merren me hetimin duhet të shkojnë shumë më thellë se sa e marrim ne parasysh. Për një udhëtim jashtë shtetit na heqin rripin nga pantallonat, krimineli futet nga gardhi, merr paret dhe ikën pa i thënë kush asgjë. Unë mendoj që problemi i parë qëndron tek koncensionari, i cili ka bërë sigurinë e aeroportit”, shtoi ai.

Sterkaj një ish-punonjës i Policisë së Shtetit deklaron se duhet përcaktim i saktë se kush e ekzekutoi Admir Muratajn.

“Janë disa prova të mbledhura në vendngjarje që mund të na çojnë tek autorët. Por duhet parë situata, ky viktima, grabitësi a është vrarë nga autorët e grabitjes apo nga policia… Këtë duhet ta vërtetojë ekspertiza”, përfundoi ai.

I pyetur nga gazetari Muhamed Veliu nëse ka hije dyshime se Murataj mund të jetë vrarë nga anëtarë të bandës ku ai ishte pjesëmarrës, ai tha:

“Këtë nuk jam në gjendje ta them, sepse hetimi është konspirativ, unë nuk kam asnjë lloj informacioni. Por unë mund të shkoj te dyshimi se për të zhdukur provat mund të jetë vrarë nga grupi i vetë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA