Çdo fëmijë që ka ardhur në jetë nga 1 janari i këtij viti përfiton bonusin e bebes. Deri tani janë rreth 300 bebe të lindura në Maternitetin “Koço Gliozheni”, ndër më të mëdhenjtë në vend që kanë përfituar shumën që varion nga 40 mijë për beben e parë, 80 mijë për të dytën dhe 120 mijë për të tretën.
Mirela kujdeset për të mbesën që u lind në janar.
“Lindi në maternitetin e ri, bëri kartën e identitetit dhe e mori çekun e bebes që në maternitet. Më pas shkoi në bankë dhe i tërhoqi, por ato nuk na mjaftojnë për bebelino. Megjithatë, sa pa gjë fare, kjo është gjë e mirë”, tha Mirela Aliu.
Administratorja e një prej njësive më të mëdha administrative në kryeqytet tregon kushtet që duhen plotësuar.
“Bëhet lindja, prindërit janë të dy me dokumente identifikimi dhe kanë vendosur emrin e bebes. Aty bëhet regjistrimi direkt dhe punonjësi i maternitetit lëshon çekun. Prej andej, prindi shkon direkt në bankë. Nëse lind në maternitet privat, e merr në Ministrinë e Shëndetësisë bonusin. Nëse lind jashtë e regjistron në Gjendjen Civile dhe e paraqet certifikaten në Ministrinë e Shëndetësisë. Bonusi bëhet në emrin e nënës”, tha Trendelina Jaku, administratore e Njësisë Administrative 1, Tiranë.
Një fëmijë përfiton edhe një pagesë nga bashkia. Por, sot rezulton që më parë merret bonusi i bebes sesa 5.000 lekëshi i bashkisë.
“Vajza e djalit tjetër që nuk përfitoi nga bonusi, pasi lindi vitin e shkuar, nuk e ka marrë ende 5.000 lekëshin nga bashkia”, tha Mirela Aliu.
Top Channel