Izraelitët kanë nisur votimin në zgjedhjet e përgjithshme që konsiderohen më të paparashikueshmet në vite të tëra. Kryeministri Benjamin Natanjahu, lider i partisë së djathtë Likud, kërkon mandatin e tij të pestë. Por ai përballet me akuza për korrupsion dhe një sfidë të fortë nga gjenerali në pension Benni Gantz.
Ky i fundit, kreu i partisë centriste Aleanca Bardhë e Blu, po sfidon Netanjahun në çështje kyçe të sigurisë dhe premton politikë më të pastër. Asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën në Parlamentin me 120 vende të Izraelit, Kneset, ndaj sapo rezultatet të fillojnë të dalin, të martën në mbrëmje, do të nisin edhe negociatat për krijimin e një koalicioni qeveritar. Sondazhet paraprake tregonin se dy pretendentët kryesorë ishin afër e afër me secilin që pritet të marrë rreth 30 vende në Parlament.
Por, në sistemin e fragmentarizuar partiak të Izraelit, sipas analistëve, avantazhi mbetet me Netanjahun, që vazhdon të duket më I mundshmi për të krijuar një koalicion të ri qeveritar. Në një lëvizje të kritikuar jo pak, për të fituar më shumë vende për të djathtën ekstreme, Netanjahu ndërmjetësoi një marrëveshje në shkurt, që e bënte më të lehtë për kandidatët nga një parti e krahut të djathtë ekstrem që shumëkush i sheh si racistë, të hyjnë në Parlament.
Top Channel