Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj pas heqjes së targave diplomatike konsujve të nderit nis reformën edhe për mbajtësit e pasaportave diplomatike.
Përmes një deklarate për mediat, ministri Gent Cakaj vuri në dukje se janë mbi 350 pasaporta diplomatike, të cilat sipas tij mbahen nga persona të ndryshëm në kundërshtim me ligjin.
Ai shpjegoi se ku e bazon këtë hap të radhës: “Sot fatkeqësisht kemi trashëguar një sistem anormal të lëshimit të pasaportës diplomatike. Shqipëria ka dyfishin e pasaportës diplomatike në krahasim me vendet e zhvilluara. Nga Gjykatës Kushtetues dhe të Lartë, cilët nuk e kanë kaluar vettingun, e deri tek shoqërues të personalitete të njohur në Shqipëri.”
Për të gjithë mbajtësit e pasaportave diplomatike në atë që ai e quajti në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore Cakaj dha këtë paralajmërim.
“Sot në Shqipëria ka më shumë se 350 persona, që mbajnë pasaporta në kundërshtim me ligjin. I ftoj publikisht të gjithë që të dorëzojnë pasaportën diplomatike dhe në rast se nuk e bëjnë, ata do të behën të pavlefshme. Përmirësim i kuadrit ligjor për pasaportat diplomatike është kusht i domosdoshëm”, tha ai.
Më tej ministri shtoi se “Pasaporta e Shqipërisë duhet të fuqizohet edhe më tej me liberalizimin e vizave me vendet e tjera”.
Top Channel