Kërcënimi amerikan, taksa për djathin e verën evropiane

09/04/2019 12:44

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vlerësojnë mundësinë e vendosjes së taksave për 11 miliardë dollarë mallra nga Bashkimi Evropian, si reagim ndaj subvencionimeve të këtij të fundit për “Airbus”, rivalin e “Boeingut”.

E kjo, është lënë të kuptohet në një deklaratë të zyrës së përfaqësuesit amerikan për tregtinë, ku flitet për taksa mbi helikopterët, lloje të ndryshme të djathit, verës dhe disa markave të motoçikletave. Deklarata i referohet pohimit të Organizatës  Botërore të Tregtisë sipas të cilës, ndihma për “Airbus” ka pasoja negative për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky rast është në diskutim prej 14 vitesh dhe tani ka ardhur koha të reagojmë”, thotë Robert Lighthizer , duke shpjeguar se administrata po përgatitet të reagojë menjëherë, sapo OBT të publikojë vlerësimet e saj mbi vlerën e kundërmasave amerikane. “Objektivi ynë- thotë ai,- është të arrijmë një marrëveshje me Bashkimin Evropian për ti dhënë fund të gjithë subvencioneve për avionët civilë, të ndaluar nga OBT. Kur BE të heqë dorë nga këto subvencione të dëmshme, taksat e reja amerikane do të anulohen”.

Lëvizja amerikane vjen pak para hapjes së negociatave mes Brukselit dhe Uashingtonit për taksat industriale, ndërkohë që në anën tjetër vijojnë me optimizëm negociatat mes SHBA dhe Kinës, që ka qenë në shënjestër të strategjisë proteksioniste të Shtëpisë së Bardhë. E pasi ka kërcënuar Meksikën me taksa mbi makinat e saj, në rast se vendi nuk bashkëpunon në planin anti-emigracion të SHBA, mbetet në këmbë edhe përballja me Evropën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA