E ashtuquajtura, zonë e emetimit të ulët ka nisur zbatuari në Londër. Drejtuesit e makinave të vjetra dhe ato që krijojnë më shumë ndotje do të duhet të pagujnë për të hyrë në qendër të qytetit.
Drejtuesit e sistemit shtetëror, Transporti për Londrën shpresojnë se ky hap do të zvogëlojë numrin e veturave që krijojnë shumë ndotje në kryeqytetin e Britanisë, pasi vlerësohet se rreth 40,000 makina do të preken nga kjo pagesë. Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka thënë se është e “rëndësishme që të përparojmë” në luftën kundër ajrit toksik në Londër.
Shumica e shoferëve, mjetet e të cilëve nuk janë në përputhje me vlerat e ndotjes, do të paguajnë 12.50 paundë për të hyrë në këtë zonë çdo ditë. Ata që nuk paguajnë këtë shumë do të gjobiten me 160 paundë, ndonëse shkelja e parë mund të rezultojë vetëm me një paralajmërim.
Kjo zonë pritet të zgjerohet në pjesën veriore dhe jugore të rrugëve të Londrës deri më 2021. Vlerësohet se kjo skemë fillestare do të ndikojë me reduktimin e ndotjes së ajrit në masën 45 për qind në dy vjet. Kryebashkiaku Khan ka thënë ndërkohë se ajri i ndotur i Londrës përbën “urgjencë për shëndetin publik”.
Top Channel