Pheniani ka pritur turistë të shumtë në maratonën e përvitshme. Sipas operatorëve turistikë, numri i vizitorëve në vendin e izoluar është dyfishuar falë edhe reduktimit të tensioneve politike kohët e fundit.
Maratona e Koresë së Veriut, që është pjesë e festimeve për përvjetorin e themeluesit Kim Il Sung, është eventi kulmor i kalendarit turistik të këtij vendi dhe jep shansin që të gjithë të vrapojnë në rrugët e Phenianit.
Sipas Koryo Tours, në evenimentin e këtij viti morën pjesë 950 shtetas perëndimorë, ndërkohë që një vit më parë ky numër ishte 450. Kjo shifër është një rikthim në nivelet e pjesëmarrjes së mëparshme përpara nisjes së tensioneve në vitin 2017, kur një sërë raketash u hodhën nga Koreja e Veriut, ndërkohë që lideri Kim Jong Un u përfshi në një luftë kërcënimesh e fyerjesh me presidentin amerikan Donald Trump.
Pjesa më e madhe e turistëve në Korenë e Veriut janë nga Kina, megjithatë rezulton se 5000 shtetas perëndimorë vizitojnë çdo vit një nga vendet më të mbyllura në botë teksa vihen në kërkim të një aventure unike.
I quajtur ndryshe ‘Marathon Chasers’, ky eveniment u pa edhe si një mundësi për të ndërvepruar me koreanoveriorët që qëndronin në anë të rrugëve duke inkurajuar garuesit e duke bërë me ta foto selfie.
Top Channel