Faza e regjistrimit të maturantëve në sistem ka përfunduar, ndërkohë që përgatitjet për maturën shtetërore vijojnë. 36 100 maturantë do t’i nënshtrohen 4 provimeve. Matura shtetërore 2019 është e para që ka dalë me kurrikulën e re, si rrjedhojë ndryshimi do të pasqyrohet dhe në provimet e maturës.
“Ne do të kërkojmë nga maturantët jo memorizim, por me njohuritë që ata kanë çfarë do arrijnë të bëjnë në situate të caktuara që i kemi në teste. Në lidhje me gjuhën shqipe dhe letërsinë testi do të ketë disa ndryshime të diktuara nga kurrikula e re. Pra testi do të jetë i ndarë në dy pjesë, në njërën do të vlerësohen për kompetencat që kanë në gjuhën shqipe dhe në tjetrën për kompetencat në fushën e letërsisë”, tha Rezarta Vrapi, drejtoreshë e AKP-së.
Pavarësisht ndarjes së testit, koha në dispozicion të gjimnazistëve do të jetë e njëjtë, po 2 orë e gjysmë. Ky model provimesh është testuar në 2000 maturantë.
“Duke patur nën kujdes dhe natyrën e pyetjeve apo gjatësinë e fragmenteve ne i sigurojmë maksimalisht maturantët që koha është më se e mjaftueshme që të përfundojnë secilin nga provimet shtetërore”, tha Vrapi.
Maturantët do të testohen vetëm në 1 lëndë me zgjedhje, ndryshe nga vitet e kaluara që kishin dy. Por përmbajtja e testit do të jetë shumë më e thelluar se më parë.
“Dhe kjo lëndë me zgjedhje në vetvete do të përmbajë dy lëndë, sepse për shembull nëse marrim kiminë, nuk do jetë vetëm kimia bërthamë por dhe kimia e thelluar”, deklaroi Rezarta Vrapi.
Gjithashtu ky model i ri mature do të ketë dhe ndryshim pikësh vlerësimi.
“Tezat tashmë do të jenë me 60 pikë nga 50 që kanë qenë dhe kjo shtesë është bërë për të kontrolluar shumë më mirë atë cka maturantët zotërojnë në fund të përfundimit të arsimit të mesëm”, deklaroi Drejtoresha e AKP-së.
Më 7 qershori nisin provimet e maturantëve të cilat do të zgjasin deri më 24 qershor.
Top Channel