Moti i keq shkakton ndërprerje të energjisë elektrike në Kukës, rënie gurësh dhe dherash në disa segmente rrugore
Plot 80 vite më parë, Italia Fashiste arriti të hyjë në Shqipëri, duke nisur një pushtim që zgjati përreth 4 vite, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën ditë, në Durrës u vra gjatë luftimeve për të sprapsur sulmin fashist, edhe Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku.
Në këtë 80-vjetor, presidenti i Republikës, Ilir meta ishte në Durrës, ku takoi edhe trashëgimtarët e Mujo Ulqinakut, me të cilët bëri edhe një foto poshtë statujës së tij në qytetin bregdetar.
“I lumtur të takoja Aselin dhe Sirian, stërmbesat e Heroit të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, sot në 80-vjetorin e rënies heroike të simbolit kombëtar të qëndresës, i cili jo vetëm mbrojti me jetën e tij betimin ndaj Atdheut dhe flamurit, por i dëshmoi Europës se Shqipëria nisi rezistencën antifashiste edhe pse e braktisur dhe e harruar”, shkroi ndër të tjera Meta në Facebook.
Më pas presidenti Meta vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para heroizmit dhe veprës atdhetare të Mujo Ulqinakut dhe të gjithë bashkëluftëtarëve, të cilët u ngritën me armë në dorë kundër pushtuesve fashistë.
“Edhe pse populli thotë ‘7 prill mos ardhsh kurrë!’ përsëri 7 prilli vjen çdo vit dhe ne jemi sot këtu në Durrës pikërisht në këtë 80-vjetor për të kujtuar me krenari të pafund Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë, të cilët i qëndruan betimit ‘Për Atdhe e për Flamur’. Dhe të cilët me qëndresën e tyre heroike ndaj njërës prej fuqive më të mëdha të kohës bënë krenar çdo shqiptar njëherë e përgjithmonë dhe jo vetëm kaq, por e kthyen 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë, por edhe të qytetërimit.
Ndaj edhe jam sot këtu për t’u përulur me nderim të jashtëzakonshëm përpara një ushtaraku aq të thjeshtë sa ç’ishte Mujo Ulqinaku, i cili me vetëdije të plotë i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm historik Atdheut dhe kombit tonë, duke dhënë mesazhin e sakrificës më sublime në emër të dinjitetit kombëtar”, tha Meta për mediat e pranishme.
Top Channel