Kompania amerikane e avionëve “Boeing” ka frenuar përkohësisht prodhimin e avionëve më të shitur deri më sot, “737 Max”, për shkak të pasojave në jetë njerëzish që shkaktuan dy incidentet ajrore në Etiopi dhe Indonezi.

Sipas deklaratës së shpërndarë nga vet kompania, prodhimi do të ulet nga 52 avionë në muaj, në vetëm 42 nga mesi i muajit prill. Vendimi është marrë në përputhje me ndalimin e dërgesave të reja të modelit “737 Max”, pikërisht ai që u përfshi në të dy aksidentet ajrore.

Ky lloj avioni është ulur në tokë thuajse në të gjithë botën, nga vendet aziatike, afrikane, ato të Bashkimit Europian apo edhe vet Shtetet e Bashkuara, pasi hetimet paraprake zbuluan një defekt në sistemin antindalim.

Një avion “737 Max” i linjës ajrore “Ethiopian Airlines” u rrëzua vetëm pak minuta pasi ishte ngritur në fluturim nga Addis Ababa në mars, duke shkaktuar vdekjen e 157 personave në bord. I njëjti tip avioni, këtë herë i linjës indoneziane “Lion Air”, u rrëzua mbi det 5 muaj më parë, vetëm pak pasi ishte ngritur në fluturim nga Xhakarta. Aksidenti atje u mori jetën 189 njerëzve.

Në të dyja rastet, defekti u pikas në sistemin e njohur si “MCAS”, që u shkakton avionëve ulje të pakontrollueshme dhe të përsëritur të hundës. E ashtu siç u publikua të enjten, autoritetet etiopiane zbuluan nga hetimet se pilotët e fluturimit “ET302” ndoqën me përpikmëri procedurat e rekomanduara nga “Boeing” përpara rrëzimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA