NATO, samit për unitetin. Mbyllet takimi për 70-vjetorin e aleancës në Uashington

05/04/2019 08:56

Takimin e tyre dyditor në Uashington, eventi që shënoi edhe 70-vjetorin e krijimit të NATO-s, ministrat e Jashtëm të saj e mbyllën me një deklaratë ku përcillej unitet, rikonfirmohej roli i saj si aleanca më e fortë në histori dhe renditeshin sfidat e sigurisë, përfshirë rrezikun nga Rusia apo terrorizmi.

Në deklaratë shprehej gjithashtu, mes të tjerash, vendosmëria për të përmirësuar balancën e ndarjes së kostos dhe përgjegjësive për sigurinë e vendeve anëtare.

“Sa për Shtetet e Bashkuara ne do të vazhdojmë të mbajmë barrën që na takon, do të vazhdojmë të udhëheqim me NATO-n dhe kështu do të mbrojmë liritë e popullit tonë dhe popujve të aleatëve tanë”, tha Sekretari amerikan i Shtetin, Mike Pompeo.

Edhe pse u shpreh i kënaqur me rritjen e nivelit të kontributeve, të cilën e konsideron pasojë të trysnisë së tij, Trump e theksoi gjatë këtyre dy ditëve se presioni i bërë në këtë drejtim ka funksionuar, por sërish aleatët – nga sa theksoi ai, – duhet të shtojnë më shumë buxhetet e tyre për mbrojtjen.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e pranoi se këmbëngulja e kreut të Shtëpisë së Bardhë ka dhënë rezultat. Megjithatë, ai e nënvizoi qartazi se Amerikës i nevojiten miqtë. Stoltenberg iu drejtua më herët edhe Kongresit amerikan, ku rikujtoi sesi NATO-ja e pati frenuar Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe ndali mizoritë në Ballkan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA