Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha sot se ngritja e qendrave të votimi nëpër ambiente private, duhet të marrë fundit. Sipas tij, kjo metodë intimidon votuesit dhe i duhet dhënë një zgjidhje, duke ngritur qendra mobile, të lëvizshme. Fillimisht do të aplikohet në Tiranë dhe më pas do të shtrihet edhe në zona të tjera të Shqipërisë.

“Njëkohësisht në takimet që kam zhvilluar me kryetarët e bashkive të vendit, kam diskutuar dhe kam marrë prej tyre edhe një kërkesë të rëndësishme që ka të bëjë me qendrat e votimit. Dihet që vendi ynë, për shkaqe të ndryshme të infrastrukturës, strukturës, nuk ka arritur ende që të ketë mjedise të mjaftueshme për të organizuar zgjedhjet në mjedise publike.

Dhe një pjesë e madhe e qendrave të votimit në Shqipëri janë mjedise private, nganjëherë janë edhe restorante, pijetore, mejhane ku dita e zgjedhjeve shndërrohet në një lloj rituali të pakëndshëm për shumë qytetarë, të cilët tek dera e lokalit ku shkojnë për të votuar, ndeshen dhe me gjysmën e fisit të pronarit. Shpeshherë intimidohen, shpeshherë vihen në kushte të vështira, por jo rrallëherë edhe heqin dorë nga votimi.

Kështu që, ne i kemi propozuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të aplikohet një standard tjetër, që të hiqet dorë nga qendrat e votimit pranë mjediseve private dhe të aplikohen qendrat mobile ose të lëvizshme të votimit. Është gati Bashkia e Tiranës për ta aplikuar, por mendojmë që në të gjithë vendin mund të aplikohet një standard tjetër, i cili aplikohet në vendet e Bashkimit Europian, ku qendrat e votimit afrohen pikërisht në vende publike, në vendet më të arritshme nga qytetarët dhe eliminohet rituali i vizitës së tyre në restorante dhe në pijetore për të votuar”, tha Lleshaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA