Policia e Vareses arrestoi një shtetas shqiptar, 23 vjeç. I riu ishte duke trafikuar 2 kg marijuanë. Mediet fqinje raportojnë se i riu me inicialet S.S., 23 vjeç ndodhej në Itali me vizë të rregullt turistike.
Hetimet ndaj tij nisën pas disa raporteve anonime, të mbledhura javën e kaluar, lidhur me lëvizjet e çuditshme të njerëzve me origjinë shqiptare. U dyshua se ata ishin pjesë e një grupi kriminal, në lidhje me shitjen e drogës në zonat e Vedano Olonas dhe Castiglione Olonas. Shqiptarët lëviznin në këto zona me një makinë të vogël, ngjyrë gri. Me anë të kamerave në dy zonat e lartpërmendura, policia vëzhgoi lëvizjet e shqiptarëve.
Aktiviteti i monitorimit vazhdoi me identifikimin e personit në automjet. Në momentet e ndalimit, shqiptari u tregua nervoz, duke konfirmuar dyshimet e policisë. Të riut S.S., iu gjetën disa çelësa me vete dhe ai i tha policisë se i përkisnin shtëpisë së tij në Shqipëri.
Oficerët e policisë nuk u bindën nga shpjegimet banale dhe kuptuan se mund të hapnin një dhomë në ndërtesën në të cilën ai jetonte, në Castiglione Olona. Kjo godinë ishte vëzhguar më parë nga policia dhe u dyshua se aty duhet të kishte një vend sekret.
Pas kontrollit në ndërtesë hipoteza u shndërrua në realitet, sepse çelësat hapën dyert e ndryshme të apartamentit. Në banjë ishte fshehur 2 kg marijuanë, një pajisje për mbylljen e qeseve me vakuum dhe doza droge, të bëra gati për shpërndarje. Në këto kushte, shqiptari u arrestua në flagrancë.
Top Channel