Bedri Dervishi, pronari i njërit prej dy automjeteve që u dogjën gjatë orëve të para të mëngjesit në “lagjen 4” të qytetit të Durrësit, hedh dyshime se akti është i qëllimshëm dhe akuzon kreun e IMT-së në Durrës, Ardian Halili, me të cilin është në konflikt ligjor prej disa muajsh.
“Mendoj se zjarrvënia është e qëllimshme, por do të jenë ekspertët që të thonë fjalën e tyre. Mendoj se arsye është konflikti për banesën time të përdorur dhe si agjenci. Kjo shtëpi ku banoj është ndërtuar në 91-shin dhe janë rreth 25 ndërtesa në distancë me linjën hekurudhore. Por, ndërtesat vetëm 3-5 metra larg vijës hekurudhore janë legalizuar, ndërsa e imja që ndodhet 18 metra larg dhe nuk cënon sigurinë hekurudhore, jo. Kjo, edhe për shkak të një konflikti privat me kreun e IMT-së në Durrës, Ardian Halili”, tha Bedri Dervishi.
Durrës, djegia e dy automjeteve dyshohet e qëllimshme. Pronari drejton gishtin e akuzës
Në nëntor të vitit të kaluar, ishte kreu i IMT-së, Ardian Halili që denoncoi për kanosje për shkak të detyrës Bedri Dervishin dhe familjarët e tij. Sipas kryeinspektorit Halili, 4 persona e kishin kanosur me jetë, teksa ndodhej në lokalin pranë banesës në Gjirin e Lalzit.
Shkak ishte një urdhër për prishjen e objektit agjenci “Dervishi”, që ndodhet te “Ura e Dajlanit”, në hyrje të Durrësit. Edhe pse objekti ishte në proces legalizimi, sipas Halilit, urdhri u bë mbi bazën e një kërkese të Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare për skualifikim të objektit nga legalizimi, pasi cënon sigurinë hekurudhore.
Top Channel