Brunei i ka kthyer marrëdhëniet intime mes meshkujve, në një shkelje të rëndë që dënohet me vdekje përmes goditjes me gurë. I njëjti ndëshkim i pret edhe shkelësit e kurorës.
Shteti i vogël islamik e vendosi këtë dënim si pjesë e zbatimit të një kriteri të ri penal, të bazuar në ligjin e Sheriatit.
Paketa e re dhe mjaft e ashpër ligjore parashikon dhe prerjen e dorës për krimin e vjedhjes.
“Dua që mësimet e Islamit të forcohen në këtë vend”, deklaroi sulltani Hassanal Bolkiah.
Por, lëvizja ngjalli menjëherë indinjatë mbarëbotërore, ndërsa vet komuniteti LGBT i Bruneit shprehu tronditje të thellë dhe frikë, nga ato që i cilësoi si “ndëshkime mesjetare”.
“Zgjohesh një ditë dhe sheh se fqinjët, familja apo edhe ajo e moshuara e këndshme që shet petulla në cep të rrugës, nuk të konsiderojnë më një qenie njerëzore, ose mendojnë se vrasja me gurë është normale”, tha për BBC-në një anëtar i këtij komuniteti, i cili nuk deshi të identifikohej.
E teksa homoseksualët në Brunei përballen me vdekjen, në Nebraska, një grua 61-vjeçare solli në jetë mbesën e saj, duke shërbyer si nënë bartëse për të birin, Matthew Eledge, dhe bashkëshortin e tij, Elliot Dougherty.
Cecile Eledge ishte ofruar vet të ndihmonte Matthewn kur kishte mësuar dhe ai dhe partneri dëshironin shumë të kishin një fëmijë.
Top Channel