Ligjbërësit e Bashkimit Evropian miratuan të mërkurën një ligj që do të lejojë britanikët që të lëvizin pa viza edhe pse nuk ka marrëveshje për Brexit. Vendimi është marrë pavarësisht mosmarrëveshjes së ashpër mbi statusin e Gjibraltarit. Komiteti i drejtësisë i Parlamentit Europian miratoi përmbajtjen e ligjit që tashmë kishte mbështetjen e shteteve anëtare dhe tani duhet të konfirmohet zyrtarisht.
Britania do të largohet nga Bashkimi Europian, por ligji iu lejon vizitorëve britanikë që të qëndrojnë jashtë kufirit për 90 ditë udhëtime në zonën e Shengenit. Zbatimi i këtij ligji do të varet nga Britania, sipas të drejtave reciproke të qytetarëve të BE, por ajo ka thënë se do ta bëjë.
Megjithatë, vetë teksti shkaktoi një debat të hidhur në Bruksel, pasi shtetet anëtare – me nxitjen e Spanjës – përmendën edhe çështjen e Gjibraltarit, si një koloni britanike. Spanja prej kohësh kërkon që ky territori të jetë nën varësin e saj, ndonëse vendasit nuk duan të shkëputen nga Britania e Madhe. Gjibraltari është kthyer shpesh në “mollë sherri” mes Spanjës dhe Britanisë.
Kombet e Bashkuara e rendisin ligjërisht Gjibraltarin si një “territor jo-vetëqeverisës” nën sundimin kolonial por Britania këmbëngul se është pjesë e “familjes së Mbretërisë së Bashkuar” dhe se qytetarët e saj lirshëm votuan për të mbetur britanikë.
Deputeti britanik konservator Daniel Dalton, një anëtar i komisionit, reagoi me zemërim. “Legjislacioni i Brexit për vizat nuk ka kaluar, teksti i rremë thotë se Gjibraltari është një koloni”, shkruan ai në Twitter.
Por një eurodeputant kryesor spanjoll, Esteban Gonzalez Pons, e cilësoi ligjin si një fitore diplomatike për Madridin.
“Spanja ka marrë mbështetje thelbësore nga institucionet evropiane në mosmarrëveshjen rreth Gjibraltarit duke e konsideruar këtë territor një koloni. Përmendja e Gjibraltarit si koloni do të jetë thelbësore në përpjekjen për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi këtë territor në një skenar pas Brexit”, argumentoi ai.
Brexit nuk do të ndryshojë statusin e Gjibraltarit, por Madridi thotë se do të vendosë veto për çdo marrëveshje të ardhshme midis Britanisë dhe BE që prek territorin.
Top Channel