Nga prilli i këtij viti nis mbajtja e historikut të aksidenteve automobilistike në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare dhe pas një viti çdo sigurim për autoveturat dhe mikrobusët do të bëhet duke aplikuar sistemin “bonus-malus”.
E thënë ndryshe, nëse je shkaktar i një aksidenti atëherë çmimi i policës së sigurimit të detyrueshëm do të rritet dhe e kundërta ndodh nëse nuk shkakton aksident.
Endri Kote, drejtor i mbikqyrjes së tregjeve të sigurimeve, historiku i aksidenteve ka bazë vjetore dhe çmimet e siguracioneve do të vendosen me bazë të kësaj metodologjie nga prilli i 2020-s.
“Pas një viti, me shkaktimin e një aksidenti do të ketë një rritje me 15% të çmimit të policës dhe një ulje me 5% për ata drejtues që nuk kanë shkaktuar asnjë aksident”, deklaron Kote.
Në bazë të kësaj formule, për një automjet me një motorr prej 1600 kubikë, primi bazë i sigurimit është afro 18 mijë lekë në vit, nëse kryen një aksident, çmimi rritet në 20 700 lekë. Kur je disa herë shkaktar, çmimi mund të dyfishohet duke shkuar deri në 36 mijë lekë.
Gjithsej janë 18 klasa ku listohen përdoruesit e autoveturave dhe mikrobusëve. Secili e nis nga klasa e trembëdhjetë, ku është përcaktuar tarifa bazë. Ndërkohë, nëse nuk je shkaktar aksidenti, mund të përfitosh deri përgjysmim të tarifës. Përveç efektit ekonomik, AMF synon që të ulë numrin e aksidenteve dhe pasojave prej tyre me aplikimin e sistemit “bonus-malus”.
“Ka efekte sociale mjaft pozitive, pasi siç është konstatuar edhe në vendet e zhvilluara europiane në të cilat është aplikuar, ka sjellë një ulje të aksidenteve, pra duke rritur ndërgjegjësimin e publikut në drejtimin e automjetit”, shton Kote.
Akses në bazën e të dhënave të AMF me historikun e aksidenteve kanë të gjitha kompanitë e sigurimeve në vend. Nga ana tjetër, nga sistemi “bonus-malus” janë të përjashtuar drejtuesit e motoçikletave, autobusëve, kamionëve dhe makinerive bujqësore.
Top Channel